PROJEKTI

Qëllimi i këtij projekti është të nxisë vetëpunësimin dhe frymën sipërmarëse tek të rinjtë e qarqeve të Vlorës, Shkodrës dhe Korçës si një formë për të parandaluar emigrimin dhe për të ulur normën e papunsisë e nivelet e kriminalitetit tek të rinjtë e këtyre qyteteve.

Në të gjithë Europën, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim. Për të rinjtë e papunë, rrugëzgjidhje mbetet emigrimi në vendet, ku norma e papunësisë së të rinjve është shumë më e ulët. Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, po përjeton një valë emigrimi të grupmoshave të reja drejt vendeve të Europës Perëndimore.

“Ikja e trurit të të rinjve” mbetet një ndër fenomenet më shqetësuese, pasi e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë me rreth 30% të studentëve që synojnë të punojnë jashtë vendit.

Të rinjtë e diplomuar vuajnë nivelin më të lartë të papunësisë në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor gjatë vitit 2019, rreth 14,4 % e të rinjve me arsim të mesëm janë të papunë, ndërsa 12,3 % e të rinjve me arsim të lartë vuajnë këtë fenomen. Situata e pandemisë dhe dëmet që ajo ka sjellë në ekonomi e kanë agravuar Akoma më shumë gjëndjen e papunësisë tek të rinjtë në vendin tonë.

Ndaj, me anë të këtij projekti synohet që të rinjtë e qarqeve të Vlorës, Shkodrës dhe Korçës t’u ofrohet një mundësi për tu vetëpunësuar, për të ngritur biznese të suksesshme si dhe për të punësuar të rinj të tjerë. Projekti do të mbështesë të rinjtë e qarqeve të Vlorës, Shkodrës dhe Korçës duke i ofruar mundësinë të prezantojnë idetë e tyre sipërmarrëse, të trajnohen dhe mentorohen nga ekspertët më të mirë të fushës së akademisë dhe biznesit si dhe t’u ofrohet mbështetje në sipërmarrjen e tyre duke u siguruar që ideja e tyre e biznesit do te implementohet në një formë të sigurtë dhe të qëndrueshme. Për më tepër ky projekt mundëson ndërkombtarizimin e nismave sipërmarrëse duke i bërë pjese e konkurseve ndërkombtare si BetaPitch Berlin, Future AgroChallenge, Creative Business Cup.